Kaskada e Devollit mund të ketë rritje të kapacitetit të prodhimit të energjisë me një projekt që aktualisht është në fazë studimi nga norvegjezët e Statkraft.
Një marrëveshje që u miratua pak ditë më parë në qeveri dhe së fundmi ka mbërritur në Kuvend specifikon ndryshime sa i takon koncesionit aktual që ka kompania në vendin tonë.
Ky është ndryshimi i katërt që i bëhet marrëveshjes ndër vite dhe që synon këtë herë një projekt që rrit efektivitetit e përdorimit të ujit të kaskadës ku kompania ka investuar.
Projekti i ri rrit ndjeshëm kapacitetin e insataluar në kaskadën e Devollit që vetem nga shtesa mund të jetë mes 800 dhe 1600 MW duke tejkaluar kështu kaskadën e Drinit që është arteria kryesore në vend për prodhimin e energjisë.
Në shtratin e lumit Drin janë të ndërtuara hidrocentralet e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës (investim privat)me kapacitet të instaluar rreth 1400MW, nga të cilët, tre të parët janë nën administrimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
“Shoqëria e Projektit ka kryer disa studime paraprake të cilat synojnë optimizimin e shfrytëzimit hidrologjik të lumit Devoll. Studimet tregojnë se ndërtimi i një impianti me sistemin e rezervës së pompuar mund të jetë i realizueshëm dhe do të ofronte një përdorim me të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll.
Nga optimizimi përfitojnë të dy Bashkë-Koncesionarët dhe Qeveria e Shqipërisë për shkak të shtimit të kapacitetit të ruajtjes së energjisë në vend” thuhet në marrëveshjen e bërë publike./Monitor
Artikulli i plotë këtu.