Dy persona vdiqën dje dhe shumë u plagosën si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi në Malin e Zi. Autobusi ku po udhëtonin 30 pasagjerë doli nga rruga dhe ra në humnerë në Obzovicë.
Nëntë persona kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa së paku dhjetë pasagjerë të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe vetëm gjashtë prej tyre i kanë mbijetuar aksidentit në Obzovicë pa lëndime.
Shkalla e tragjedisë do të kishte qenë shumë më e madhe nëse degët dhe shkurret e trasha nuk do ta kishin zbutur rënien dhe nuk do ta kishin ndaluar autobusin të zhytej edhe më thellë në humnerë.
Policia, ekspertët dhe prokurori ende nuk kanë zbuluar se me çfarë shpejtësie ka lëvizur autobusi. Shoferi i autobusit ishte ndër të parët që u nxor nga humnera dhe kur ekipi i mjekëve zbriti tek ai, ai u ankua tek ata se “humbi ndjenjat sepse ishte sëmurë”.
Shoferi më vonë u tha inspektorëve se ka ndjerë dhimbje të forta në pjesën e pasme të kokës dhe qafës, pas së cilës në një moment ka humbur ndjenjat. Ai ka thënë se nuk e mban mend momentin e goditjes së argjinaturës dhe as të rënies në humnerë.
“Skenat ishin të tmerrshme, ulërima dhe gjak kudo. Ata që ishin të parët që u përballën me tragjedinë zbritën të parët tek ata. Disa ishin mirë, mund të ecnin, ndërsa pjesa më e madhe e pasagjerëve u plagosën rëndë”, tha një i ri nga Danilovgrad, i cili erdhi në skenën e tragjedisë menjëherë pas aksidentit.
Një grua e plagosur kujtoi momentin tragjik. “Dëgjova një përplasje, britmat e pasagjerëve dhe aty ramë. Unë rashë jashtë gjatë rrëzimit, nuk më kujtohet vërtet, nuk e di se si përfundova jashtë autobusit” tha ajo, shkruan “Vijesti“.