Ligjvënësi amerikan, Mike Turner shpreh nevojën për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për zbutjen e tensioneve Kosovë-Serbi, për të shmangur destabilizimin e një rajoni tjetër në Evropë ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë.
Ligjvënësi Mike Turner thotë se administrata e Presidentit Biden duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi çështjeve të pazgjidhura në Ballkan.
“Duam të sigurohemi që ndërsa vazhdon agresioni dhe brutaliteti i Rusisë në Ukranë, të mos kemi një rajon tjetër në Evropë që destabilizohet apo hyn në një konflikt të pazgjidhshëm”.
Ligjvënësi Turner thotë se në takimin me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ai e kishte bërë të qartë nevojën për themelimin e Asociacionit si angazhim i dalë nga dialogu evropian dhe që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Ky është një angazhim që është marrë dhe kryeministri duhet ta zbatojë,” thotë ligjvënësi Turner.
Ndërsa zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për pasoja si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin, nëse ato nuk i zbatojnë angazhimet e marra, ligjvënësi republikan Mike Turner thotë se duhen përpjekje diplomatike aktive dhe mbështetje për gjetjen e zgjidhjes.
Kryetar i Komisionit të Përhershëm për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, thotë se Perëndimi duhet ta bëjë të qartë për udhëheqësit e rajonit të Ballkanit se besueshmëria e tyre është në pikëpyetje nëse nuk i zbatojnë angazhimet për të cilat janë pajtuar.
“Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, por zbatimi i angazhimeve të dakorduara është një çështje shumëpalëshe mes BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës-Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Serbisë”, thotë ligjvënësi Turner.
“Mendoj se Presidenti Vuçiç po ecën në fije të perit në këtë fushë, ndërsa përpiqet të ekuilibrohet në pozicionin ku ndodhet aktualisht,” thotë zoti Turner./VOA