-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

“Pronarët bashkëpunojnë me policinë”, drogë e prostitucion me 16-vjeçare në qendrat e masazheve

Kryesoret

Fenomeni i prostitucionit të jashtëligjshëm në vendin tonë në qendrat e masazheve ka marrë përmasa shumë të mëdha.

Nën kamuflimin si qendra masazhi ushtrohet prostitucion, madje klientëve u shitet dhe drogë. Në punë, pronarët e këtyre të ashtuquajturave qendra masazhi marrin edhe minorene duke i shfrytëzuar për kënaqësitë e klientëve.

Gjithçka kryhet pa asnjë pengesë nga shteti, madje këta të fundit me anë të pagesave nën dorë sigurojnë vijueshmërinë e këtij lloj prostitucioni.

Pas denoncimit më të fundit në Fiks Fare një tjetër intervistë e transmetuar mbrëmjen e së enjtes vulosi atë që ky emision ka denoncuar prej shumë kohësh.

Një ish punonjëse seksi në këto qendra masazhi rrefeu në një intervistë atë çka ndodh brenda mureve të këtyre qendrave, mënyrën e rekrutimit, pagesat, shitje dhe konsumim të lëndëve narkotike, por mbi të gjitha bashkëpunimin e pronarëve të këtyre qendrave me drejtues të policisë së Shtetit.

Vajza: Jam Erika, i jam drejtuar emisionit tuaj për faktin e videos, që ka dalë para disa ditësh. Atë të prostitucionit në qendrat e masazheve. Unë jam një ish punonjëse dhe kam punuar prej një viti si punonjëse seksi në një prej këtyre qendrave. Tek qendra tek Komuna e Parisit kam punuar rreth 8-9 muaj.

Fiksi – Si u rekrutuat të punonit në qendër masazhi?

Vajza – Në njoftimin që kishte nxjerrë në Instagram qendra. Në njoftim shkruhej, që kërkojmë masazhatore, rroga e kënaqshme plus përqindje.

Fiksi – Ju jeni masazhatore?

Vajza – Po jam. Por në këtë qendër nuk bëhej masazh. Aty ushtrohej prostitucion. Kur kam shkuar për intervistë, më ka ardhur pronarja K.M. Më ka marrë në intervistë dhe më ka thënë, që këtu ofrohen shërbime ekstra dhe më tha çmimet që kishte qendra e saj.

Fiksi – Si paguheshit ju për punën që bënit?

Vajza – Kur bënim ekstra paguheshim 60 mijë lekë ( të vjetra).

Fiksi – Ekstra çfarë do të thotë?

Vajza – Ekstra! Seks. Nga këto 40 mijë ( të vjetra) i merrte pronarja e ambientit.

Fiksi – Po vajzat e tjera si rekrutohen në këto qendra masazhesh?

Vajza– Nëpërmjet rrjeteve sociale që nxirrnin njoftim për punë dhe nëpërmjet vajzave të tjera, të cilat punonin aty. Kryesisht janë nga rrethet dhe nga Tirana.

Fiksi – Cila është mosha e tyre?

Vajza – Mosha e tyre fillon nga të mitura, që kanë pasur në punë. 16-17 vjeç më e vogla dhe arrinin deri tek 23- 25 vjeç.

Fiksi – A kanë ushtruar ndonjë herë dhunë ndaj jush dhe vajzave të tjera aty ku punonit?

Vajza – Dhunë fizike jo, por dhunë psikologjike po. Kemi pasur raste, që nuk kemi dashur t’u ofrojmë ekstra klientëve që futeshim dhe pronarët na detyronin të bënim ekstra me atë lloj klienti.

Fiksi – Pse pranonit?

Vajza – Sepse ashtu ishte situata aty, të trajtonin si leckë, të shfrytëzonin. Nëse shkoje me vonesë në punë nuk na jepnin as përqindje. Na thonin boll i ke lekët e bakshisheve që merr te klienti. Edhe nga bakshishet kërkonin njëfarë përqindje për të paguar shtetin. 10 mijë (të vjetra), 20 mijë (të vjetra) për çdo klient që bënim ekstra, do t’i linim në fund të ditës te banaku.

Fiksi – Qendra ku ju punonit, ishte qendër masazhesh e licensuar?

Vajza – Jo, nuk ka pasur Nipt. Ne nuk siguroheshim, punonim në të zezë

Fiksi – Përgjatë 1 viti, që ju keni punuar aty, a ka ardhur ndonjëherë policia për kontroll?

Vajza – Po ka ardhur policia, por me paralajmërim.

Fiksi – Çfarë do të thuash me paralajmërim?

Vajza – Telefononin pronaren tonë, që do të vijë policia. Pasi ka pasur shumë denoncime nga banorët e pallatit. Ne punonim deri në orën 2 të natës dhe ka pasur shumë zhurmë. Pronarja na paralajmëronte neve që mblidhni gjërat, prezervativët, drogë, çfarë kishim gjëra që ishin të paligjshme, që policia të na gjente të pastër.

Fiksi – Brenda kësaj qendre konsumohej edhe lëndë narkotike?

Vajza – Po e llojit kokainë. 1 gram kushtonte 80 mijë lekë ( të vjetra).

Fiksi – Si e siguronit drogën?

Vajza – E sillte një miku i burrit të pronares. Pasi qendra drejtohej nga një familje. Pronarja , burri i saj vëllai i pronares dhe kunati i pronares.

Fiksi – Si quhen këta persona?

Vajza – M. R, A.R, K. M. dhe Xh. M.. Po të kërkosh edhe në internet, M. R.ka qenë edhe i dënuar për këtë gjë, për shfrytëzim prostitucioni dhe shfrytëzim të miturash në ambientet e tij. Ata kanë 4 qendra dhe jo 1 e 2.

Fiksi – Ju keni konsumuar ndonjë herë lëndë narkotike në këtë qendër? Me dëshirë apo..?

Vajza – Ka patur raste. E kam konsumuar pa dëshirë vetëm sepse duhej të mbaja klientin që konsumonte lëndë narkotike. Duhet ta mbaja sa më tepër klientin, në të kundërt na bërtiste K. ..( pronarja) në telefon.

Fiksi – Pse u largove nga ajo qendër?

Vajza – Ishte ambient që nuk durohej, ishte ambient shumë i ndotur. Nuk shtyhej më aty. Pavarësisht se jemi nevojtare, por nuk mund të të shfrytëzojë tjetri në atë lloj mënyre.

Këto qendra masazhesh punonin të qeta sepse policia nuk i ngacmonte. Vajza tregon sesi pronarët bashkëpunonin me drejtues të policisë, sesi i paguanin. Vajza ngre akuza të forta dhe përmend shumë emra në këtë rrëfim të sajin. Fiks Fare për të mos cenuar hetimin, rrëfimin e plotë të vajzës do t’ia vërë në dispozicion prokurorisë dhe policisë.

Fiksi – Ju thatë pak më parë, që pronarët e këtyre qendrave bashkëpunojnë me policinë?

Vajza – Po është A… i cili dilte edhe në terren dhe vinte na bënte kontroll. Di që është specialist i trafiqeve në Drejtorinë e Tiranës. Edhe A… i cili është zv/drejtor në Policinë e Tiranës

Fiksi – Si shpërbleheshin punonjësit e policisë nga pronarët e këtyre qëndrave?

Vajza – I jepnin njëfarë rrogë mujore.Shifra ishte shumë e lartë. Diku tek 10 mijë euro-20 mijë euro. Siç të thashë edhe më parë, tek jo shumë mblidheshin edhe lekët që linim ne nga ekstrat.

Fiksi – Keni parë ndonjë herë ju policë që marrin lekë brenda qendrës, apo mënyrën sesi e paguajnë policinë?

Vajza – E kam parë pronaren, e cila fliste në telefon dhe e takonte në vendet e tyre, jo në ambientet e punës asnjëherë. Komunikimi bëhej në whatsapp dhe ishte me kode. Ajo shpesh na e tregonte në komunikimin që kishte me A… për të na dhënë siguri që ja policia nuk ju ngacmon. Dhe na tregonte që po shkoj të takoj shefin për t’i dhënë pagesën. Vazhdoni punën të qeta. Dhe në të vërtet ne nuk kemi patur probleme.

Fiksi – Çfarë u ofronin këta punonjës apo drejtues të policisë?

Vajza – Siguri.Që nuk do përfundonim të dilnim as nëpër lajme, as që të përfundonim në burg asgjë. Edhe në drejtori kur na merrnin, na mbanin as 30 minuta dhe na lëshonin prapë gjasme na kanë gjetur të pastër.

Fiksi – Për 1 vit që keni punuar aty, sa herë ju kanë shoqëruar në drejtori?

Vajza – 3-4 herë. Arsyeja e vetme ishte denoncimet e banorëve të pallatit ku është qendra. Mbaheshim shumë pak, dilnim dhe riktheheshim në qendër dhe vazhdonim punën normalisht deri në 2 të natës.

Fiksi – Ju thatë pak më sipër që vinte herë pas here policia për kontrolle. Përse vinte policia kur ata ishin të paguar?

Vajza – Vinte për të nxjerrë veten e tyre të pastër, domethënë ne erdhëm se u bë denoncimi, por nuk gjetën asgjë. Normalisht sepse ata lajmëronin K… (pronaren) dhe ajo na merrte ne që na paralajmëronte. Ne pastronim ambjentin dhe i prisnim policët me krahët hapur.

Fiksi – Këto janë akuza të rënda, që ju ngrini ndaj këtyre personave. A keni fakte për këto sa thatë deri më tani?

Vajza – Kjo është e vërteta, nuk janë akuza. Kam bisedat me pronaren ku më thotë mos ki merak, jemi të sigurtë. Biseda që i ka bërë hapur në telefon.

Fiksi – A keni kërkuar ju ndihmë nga shteti?

Vajza – Po kam kontaktuar në shumë vende, por nuk kam marrë përgjigje. Kam kontaktuar me Spak, AMP edhe drejtues të tjerë që janë mbi uniformat blu. Kontaktet ua kam marrë në faqet zyrtare të tyre që i kanë afishuar për ankesat nga qytetarët.

Fiksi – Keni marrë ndonjë përgjigje prej tyre?

Vajza – Vetëm Ardi Veliu më ka kthyer përgjigje: Faleminderit për besimin tuaj dhe do ta ndjekim. Mesazhet i kam në telefon. Kam kontaktuar edhe Met Rrumbullaku, por nuk kam marrë përgjigje.

Fiksi – A keni frikë?

Vajza – Jo nuk kam asnjë lloj frike. Unë e kam lënë këtë profesion.

Fiksi – Çfarë kërkoni nga Fiks Fare?

Vajza – Kërkoi nga Fiksi, që të mbetem anonim, dhe të demaskojë këta persona të cilët janë dënuar njëherë për këtë vepër penale dhe vazhdojnë akoma duke shfrytëzuara vajza të mitura dhe duke u pasuruar me lëndë narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni. Dua të bëni ju atë që nuk po bën shteti.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit