Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili u shpreh se nëse ai futet në Kosovë pa leje do të arrestohet.
Vuçiç ndodhet në New York dhe nuk ka nguruar të gjejë kohë për t’i përgjigjur Sveçlës se do t’a shohin në fund se kush do ta arrestojë kë.
“Më kanë keqtrajtuar djalin, do të më arrestojnë… Do të shohim kush kë dëshiron të arrestojë dhe si do të duket”, tha Vuçiç duke vazhduar me një ton ironik.
“Është një mëkat i tmerrshëm kur dikush dëshiron të shkojë në shenjtëroren e tij, në liturgji dhe të flasë me njerëzit e tij. Kjo është arsyeja e vërtetë e arrestimit dhe flet për natyrën e tyre demokratike dhe për ata që i mbështesin. Por mirë, në fund do të shohim kush kë do ta arrestojë. …populli ynë thotë – kush qesh i fundit, qesh më mirë”, përfundoi ai.