Mediat greke shkruajnë se një shqiptare 22-vjeçare në zonën e Volos përjetonte çdo ditë skena torturash, pasi bashkëshorti i saj 28-vjeçar shqiptar e mbante atë dhe fëmijën e tyre të vetëm 2.5-vjeçar të mbyllur dhe të izoluar në shtëpi për dy vite të tëra, ndërsa abuzonte çdo ditë gruan.
Sipas TheNewspaper.gr, skenat e tmerrit që ka pësuar vajza janë zbuluar mbrëmjen e së enjtes (21/9), kur fqinjët kanë dëgjuar britmat nga brenda shtëpisë ku 28-vjeçari mbante 22-vjeçaren dhe fëmijën e tyre “të burgosur ” .
Kur kanë trokitur me këmbëngulje në derë, 28-vjeçari pasi e ka hapur ka tentuar të arratiset, fqinjët e kanë bllokuar, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje dhe e ka arrestuar.
Atë natë 28-vjeçari e kishte kapur nga qafa 22-vjeçaren dhe kishte tentuar ta mbyste pasi u konstatua se gruaja kishte shenja mbytjeje.
Në deklaratën e saj të mëvonshme në polici, 22-vjeçarja tha se i shoqi e rrihte çdo ditë, ndërsa në dy raste të tjera e kishte lënë në një gjendje shumë më të keqe se ajo në të cilën u gjend mbrëmjen e së enjtes.
Çifti u martua në Shqipëri kur vajza ishte vetëm 18 vjeç, në një martesë të “detyruar” dhe të rregulluar nga familja e saj dhe rreth 1 vit më vonë erdhi në jetë fëmija.
Siç raporton thenewspaper.gr, 28-vjeçari e ka kërcënuar vajzën se do të shkonte vetë në Shqipëri për të vrarë prindërit e saj, nëse ajo tregonte se çfarë po kalonte apo tentonte të largohej.