Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar mbi pranimin e fajësisë nga McGonigal përpara drejtësisë amerikane. Bardhi kujton se e ka kallëzuar këtë çështje në Janar 2023 në SPAK dhe pret që të veprojë edhe drejtësia shqiptare.
“Drejtësia amerikane ka provuar dhe ish zyrtari i FBI-së ka pranuar se në takimin me Edi Ramën në Shtator 2017, ai kishte shfaqur interes për një koncesion shumë të madh në fushën e naftës, me lidhje indirekt me gjigandin rus të naftës GAZPROM.
6 muaj pas këtij takimi, në Mars 2018, Ministria e Energjisë shpalli fitues për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG, të lidhur me miqtë e McGonigal.
Gjykatat shqiptare kanë konstatuar se përzgjedhja e kompanisë në koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë u krye nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tender.
SPAK ka detyrimin që të informojë opinionin publik mbi fazën ku ndodhet hetimi mbi këtë cështje. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë, nëse SPAK-u i ka kërkuar apo jo drejtësisë amerikane të dhënat e dosjes, si dhe t’i përgjigjet pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit.
Shkëmbimi i ndërsjelltë i favoreve midis Edi Ramës dhe McGonigal është njësoj krim si në SHBA, edhe në Shqipëri. SPAK duhet të na provojë se askush nuk është mbi ligjin! Askush! Përfshirë Edi Ramën” shkruan ai.