Polici Fahri Shala koleg i të ndjerit Afrim Bunjakun që u vra në veri të Kosovës nga sulmet terroriste të grupeve kriminale ka reaguar me anë të një postimi ku shpreh hidhërimin për humbjen e mikut të tij.
Shala thotë se Bunjaku u sulmua në mënyre tinëzarë nga kriminelët dhe thotë se kujtimi i i efektivit të vrarë do të vazhdojë të jetë burim inspirimi për të gjithë.
“Sot në orët e para të mëngjesit derisa ishim duke i kryer detyrat zyrtare dhe ligjore së bashku me Rreshterin tim Afrim Bunjaku, nga kriminelet në mënyrë tinzare u sulmuam dhe në këtë rast u vra Rreshteri Afrim Bunjaku…
Ne besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që ata përgjegjës për këtë akt të tmerrshëm do të gjenden dhe do të përballojnë ligjin. Kujtimi i kolegut tim Rreshter Afrim Bunjaku do të vazhdojë të jetë burim inspirimi për të gjithë ne që ndjejmë përgjegjësinë për të vazhduar detyrën tonë zyrtare me integritet dhe përkushtim.
Le të kujtojmë dhe të nderojmë gjithmonë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën tonë dhe në detyrën tonë zyrtare. Ai do të mungojë shumë dhe kujtimi i tij do të mbetet gjallë përjetësisht në zemrat tona. Nuk mund te besoj se sot do te ishte ndarja dhe bisedat e fundit,” shkruan kolegu i efektivit të ndjerë.