Parlamenti i Republikës së Shqipërisë e ka për detyrim kushtetues të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë, për faktet që janë bërë publike për lidhjen e drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar dhe “Listës Serbe” në financimin, organizimin dhe furnizimin me armë për sulmet terroriste ndaj Kosovës, që janë drejtuar nga nënkryetari i Listës Serbe (siç u vërtetua dje dhe sot me dokumente dhe me pamje filmike), ndër personat më të afërt me Vuçiqin, terroristi Milan Radojiçiq – i shpallur “non-grata” edhe nga ShBA.
Është jetike që Parlamenti i Republikës së Shqipërisë të vendos sa më parë dhe njëzëri:
- Dënimin e aksionit terrorist të Serbisë në Kosovë.
- Dënimin e tentativës për legjitimimin e terrorizmit të Serbisë me mashtrimet e Vuçiqit dhe propagandën e qeverisë së Serbisë.
- Denoncimin e shpalljes së turpshme të ditëve të zisë nga shteti i Serbisë për nderimin e terroristëve serbë që sollën një arsenal të tërë armësh në Kosovë dhe vranë policin Afrim Bunjaku.
- Kërkesën për caktimin e masave dhe sanksioneve ndaj Serbisë – një shtet gjenocidal i papenduar që vazhdon agresionin ndaj Kosovës dhe popujve të tjerë të rajonit.
- Ripozicionimin e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë!
Miqësia Rama-Vuçiq sot duhet të marrë fund! Republika e Shqipërisë ka një nevojë urgjente, si dhe një detyrim kushtetues dhe moral, që të veprojë pa humbur kohë.