Një pjesë e partive opozitare në Parlamentin serb e kanë akuzuar partinë në pushtet, Partinë Progresive Serbe dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për sulmin në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
Presidenti i partisë opozitare serbe, Lëvizja Kombëtare e Serbisë, Miroslav Aleksiç, tha më 26 shtator se presidenti Vuçiç dhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç “janë përgjegjësit kryesorë për gjakderdhjen në Banjskë” të Zveçanit, transmetoi agjencia Beta.
Duke komentuar për videon e publikuar më 26 shtator nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, që pretendoi se shfaqte Radoiçiç-in në manastirin e Banjskës i pajisur me armë zjarri, Aleksiç tha se politika e Listës Serbe, SNS-së dhe qasja e Vuçiçit ndaj Kosovës pësuan debakël.
“Pas konfliktit të armatosur në Banjskë, në të cilën vdiqën të paktën katër persona, Vuçiç duhet të japë dorëheqje. Radoiçiç nuk ka mundur të armatosë dhjetëra serbë në veri pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiçit dhe shërbimeve serbe të sigurisë. Këta të dy kanë më së shumti përgjegjësi për gjakun e derdhur në Banjskë,” tha Aleksiç.
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe Radoiçiç është në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar. Emri i tij është i lidhur edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviçit, një politikani opozitar në Kosovë.
Deri më tani, Lista Serbe dhe Vuçiç publikisht e kanë mbrojtur atë. Vuçiç nuk ka komentuar pretendimet për përfshirjen e Radoiçiçit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri./REL
Artikulli i plotë këtu.