Kongresmenia republikane në SHBA, Claudia Tenney ka thënë se dhuna në veri të Kosovës është e tmerrshme dhe se e vlerëson dënim të shpejtë të sulmit nga presidenti i Serbisë.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ajo ka thënë se duhet të përmbushë zotimet e marrëveshjes së fundit me Serbinë dhe të themelojë Asociacionin.
“Dhuna e fundit në Kosovën veriore është e tmerrshme dhe unë sinqerisht e vlerësoj dënimin e shpejt të Aleksandar Vuçiç. Kryeministri Albin Kurti duhet të mbajë detyrimet e tij sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe për të de-përshkallëzuar tensionet,” deklaron kongresmenia.
Deklarata e saj ka marrë vëmendjen e ambasadorit të Kosovës në Washington, Ilir Dugolli, i cili thotë se reagimi i Vuçiç është veçse një justifikim i një sulmi terrorist.
“Me të gjithë respektin e duhur për kongremenen Tenney, ajo që ju duartrokisni si dënim ishte në fakt një justifikim i paturpshëm i një sulmi terrorist,” tha Dugolli në një postim në platfomën “X”.
“Në vend që të ekstradohen apo ndiqen penalisht, dhjetëra terroristë po glorifikohen dhe mbrohen në Serbi, ashtu si janë mbrojtur nga drejtësia për më shumë se dy dekada vrasësit e vëllezërve Bytyqi, pavarësisht thirrjeve të shumta nga SHBA-ja për t’i dorëzuar ata dhe premtimet e Vuçiç se do ta bëjë këtë,” shkruan ambasadori.
Dugolli i përgjigjet kongresmenes duke i treguar se kush është pala që po shkel marrëveshjen e arritur në Bruksel e Ohër.
“Sa i përket marrëveshjeve, ka pasur vetëm një palë që ka vepruar me mirëbesim dhe e përkushtuar për zbatimin e plotë të tyre dhe kjo sigurisht që nuk është Vuçiç dhe Serbia e tij autokratike,” shkruan ambasadori Dugolli.
With all due respect, @RepTenney, what you applaud as a condemnation was in fact a shameless justification of a terrorist attack.
Instead of being extradited or prosecuted, dozens of terrorists are being glorified and safeguarded in Serbia, just as the murderers of Bytyqi… https://t.co/zGCGY9jEsd
— Ilir Dugolli (@IlirDugolli) September 27, 2023