Kryeministri Edi Rama nga Italia i kërkoi sot Bashkimit Europian që të bëjë një deklaratë të dytë të fortë duke drejtuar gishtin nga Serbia për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku në veri të Kosovës ditën e diel. Kreu i qeverisë shqiptare, tha se nuk është i kënaqur nga deklarata e parë e shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Borrell.
“Qëndrimin tonë për herë të parë në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE-së është e cila jo se në vetvete ka problem pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga Borrell por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit.
Ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me BE-në pa parë një deklaratë të dytë që adresohen zhvillimet e ditëve të fundit. Është vrarë një efektiv i policisë së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht për të ushtruar terror në Kosovë që është pasuar edhe me shpalljen e një ditë zie në Beograd.
Kjo është e papranueshme dhe e dënueshme për ne. Nuk është Europiane. Kjo është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment. Kemi kërkuar që BE të vendosë alarmin në nivelin më të lartë dhe të përdorë të gjitha instrumentet për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd.
Deri kur nuk do të ketë një deklaratë të dytë të BE-së për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë. Kur të dalë e dyta atëherë nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë. Ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare” tha ai.
Por Edi Rama duket se ka “harruar” deklaratën e tij të parë pas vrasjes së efektivit të policisë. Pak orë pas ekzekutimit të rreshterit, Rama nuk foli për vrasje, por për “humbje jete”. Gjithashtu nuk e akuzoi direkt Serbinë për ngjarjen duke mos e përmendur Beogradin. Madje ditën e vrasjes foli edhe për dialog. Për këtë deklaratë që ishte mjaft e butë, qeveria shqiptare u kritikua gjerësisht.
Deklarata e parë e Edi Ramës për vrasjen e policit në Kosovë
Kryeministri Edi Rama shkoi edhe më tej duke kërkuar një konferencë paqeje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë që nuk është pritur mirë as nga ish-ministri i tij, Ditmir Bushati, i cili tha tek “5Pyetjet nga Babaramo” se Kosova e ka mbyllur çështjen e pavarësisë.
Intervista te “5Pyetjet”/ Bushati kundër Ramës për konferencë ndërkombëtare për Kosovën