Në Shqipëri, të rinjtë pohojnë se krahas vështirësive për t’u punësuar, një tjetër problem, që hasin është përshtatja e aftësive të tyre profesionale me kërkesat e tregut të punës.
Ky përfundim është pjesë e një raporti të organizatës Uorld Vision, bazuar në sondazhe me të rinjtë në gjithë vendin.
Ata shfaqën sot në një takim vjetor disa projekte për lehtësimin e informacionit mbi tregun e punës.
Në Raportin e organizatës World Vision Shqipëria, 47 për qind e të rinjve të anketuar pohojnë se aftësitë e përshtatura janë ato që u nevojiten për të gjetur një vend pune në të ardhmen.
Të rinjtë theksojnë në sondazhet e kësaj organizate se punësimi është kryefjala e shqetësimeve të tyre, krahas bashkëveprimit shoqëror si dhe vendimmarrja në komunitet e më gjerë.
Drejtorja e operacioneve në organizatën World Vision, Artina Morava, thotë se problem kryesor për të rinjtë mbetet punësimi dhe lidhjet e tyre me tregun e punës.
“Përveç papunësisë dhe vështirësive për të hyrë në tregun e punës, tjetër shqetësim, që ngrenë të rinjtë në sondazhet e kohëve të fundit, ka të bëjë edhe me infomimin që të rinjtë kanë për opsionet që iu ofrohen për punësim. Po ashtu mundësitë për platformat digjitale përmes të cilave të rinjtë të ingranohen, të angazhohen për të marrë trajnim të vazhdueshëm, dhe jo në ngjarje, që organizohen vetëm një herë”, thotë zonja Morava.
World Vision bashkoi sot në në takim vjetor dhjetëra të rinj nga zona të ndryshme të vendit që të diskutojnë problemet më të shpeshta, që ata hasin në jetën e tyre.
Tema e këtij viti është sërish përfshirja në tregun e punës për të rinjtë, për të shmangur emigrimin e tyre, një dukuri që vazhdon të mbetet ndër shqetësimet kryesore./VOA
Artikulli i plotë këtu.