Rrësheni u trondit dje në mesditë nga një vrasje me armë zjarri në mes të qytetit. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur nga plumbat. Imzot Gjergj Meta, ipeshkvi i Rrëshenit të Mirditës fton qytetarët që pasditen e sotme të luten në meshë për qytetin që u terrorizua nga plumbat.
“Dje në Rrëshen ndodhi një ngjarje shumë e rëndë që shkaktoi vdekjen e një personi, plagosjen e tre të tjerëve dhe solli tronditje të madhe tek të gjithë ne. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre e shërim sa më shpejtë të plagosurve!
Në një qytet të vogël si i yni, ngjarje të tilla e shenjojnë thellësisht jetën e çdo njeriu, por kanë ndikim negativ dhe sjellin zymti në të gjithë vendin. Ju ftojmë të gjithëve sot, në meshën e orës 17:00, gjatë së cilës do të kremtojmë edhe përkujtimin e Shën Vinçenc de Paolit, që të lutemi për qytetin tonë, në mënyrë që në zemrat e secilit të sundojë paqja dhe e mira. Na jep o Hyj paqen dhe dashurinë tënde!“ shkruan ai.