Ditë pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës, njohës të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor kritikuan qasjen e bashkësisë ndërkombëtare në rajon dhe thanë se hapësira e lënë nga mungesa e angazhimit të Perëndimit në rajon, përfshirë procesin e stagnuar të integrimit evropian, ka krijuar një terren të përshtatshëm për tensione te vazhdueshme.
Sonja Biserko, drejtuese e Komiteti i Helsinkut për të Drejta të Njeriut në Beograd, ka pak mëdyshje se Beogradi zyrtar qëndron pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës.
Prej grafiteve që paralajmëronin kthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë nëpër qytetet e Serbisë e deri te dëshmitë e gjetura nga autoritetet në Kosovë pas përballjes me grupin e armatosur, Biserko thotë se ishte e qartë se diçka do të ndodhte dhe se Beogradi është përgjegjës.
Bazuar në informacionet e deritashme, thotë ajo, është e qartë që “disa forca nga Serbia shkuan në Kosovë për të provokuar një konflikt, në mënyrë që ushtria serbe të hynte dhe të vendoste vijën ndarëse me Kosovën te lumi Ibër.”
“Beogradi është i vetëdijshëm që ka shkelur vijën e kuqe dhe tani po mundohet, me çdo mjet, të zvogëlojë rolin e vet në këtë akt terrorist,” thotë Biserko.
Por, ajo fajëson edhe qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë për këtë përshkallëzim. Biserko thotë se bashkësia ndërkombëtare i ka injoruar paralajmërimet e udhëheqësve në Prishtinë ngaqë e sheh Serbinë si faktorin kryesor në rajon dhe për shkak të sulmit rus në Ukrainë./VOA
Artikulli i plotë këtu.









