Pas konferencës së përbashkët për mediat në lidhje me megaoperacionin policor që solli zbardhjen e shumë ngjarjeve mafioze në vendin tonë dhe në Greqi, gazetarët i bënë disa pyetje kreut të Policisë së Shtetit dhe kryeprokurorit të Elbasanit.
Ky i fundit u pyet se a janë zbardhur plotësisht porositësit e këtyre ngjarjeve kriminale dhe nëse pas Laert Haxhiut fshihet dikush tjetër, ndonjë biznesmen ose njeri tjetër me pozitë, sikurse ka ndodhur edhe më parë.
Ajazi u shpreh se për këto ngjarje janë siguruar provat e mjaftueshme që tregojnë se Laert Haxhiu është porositësi dhe se kush janë ekzekutorët.
Ndërkohë, i pyetur se çfarë ka marrë në këmbim të dëshmive të tij i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, kryeprokurori Ajazi tha se këto janë një sekret hetimor.