Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe paraqiti para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:
- Kristo Agalliu, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
- Agron Duraj, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Nga hetimi sipas SPAK-ut ka rezultuar se në datën 09 Maj 2023, i pandehuri Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023.
Në videon që qarkulloi në media shfaqej Agron Duraj duke komunikuar me 52-vjeçarin Agalliu, ku shprehej se për 4 vota e ul pazarin në 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë.
“100 mijë lekë është turp. Ia marrim, por është turp 100 mijë lekë. Ti 2 vota ke, unë kam 4 vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën atje. Të më hedhë karburantin ai. E ul pazarin nga e keqja. 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë. Pazari i fundit”, shprehej Duraj.