NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës për shkak të rritjes së tensioneve.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i [Misioni i NATO-s në Kosovë] ta përmbushë mandatin e tij“, tha përmes një deklarate sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai, po ashtu, bëri thirrje për “shtensionim urgjent” të situatës. Tensionet në veri u rritën sërish nga 24 shtatori, kur grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet që pasuan mbetën të vrarë edhe tre sulmues. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Radoiçiç pranon organizimin e sulmit në Banjskë: Isha aty, i bëra unë përgatitjet