Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 11 vite burg për Artur Ballën dhe 10 vite burg Bledar Lilon, përkatësisht kunatin dhe ish-truprojën e Rezart Taçit, të akuzuar për pastrim parash, grup kriminal si dhe konfiskimin e shumës prej 18 399 941 eurosh.
Kunati i Rezart Taçit, Artur Balla njihet si një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të naftës. Bledar Lilo është gjithashtu një nga personat më të besuar të ish-bossit të naftës Rezart Taçi.
Bledar Lilo është ish-truproja e Taçit dhe aksioner në disa kompani në Shqipëri. Ai akuzohet se ka pastruar paratë në bashkëpunim me një tjetër të besuar të Taçit, kunatin e tij Artur Balla.
SPAK zbuloi nga hetimet e nisura në bashkëpunim me autoritetet italiane organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme, mbi 18 mln Euro te cosa nostras.
Skema financiare është drejtuar nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian, Fabio Petruzzella, të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli, si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi, i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Rezart Taçi ndodhet ende ne kërkim.