Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione në Kosovë ka pranuar një peticion me dhjetë kërkesa nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur anëtarja e këtij komisioni, njëkohësisht deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.
“Në Komisionin parlamentar për të Drejta të Njeriut kemi pranuar peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës me 5623 nënshkrime nga pjesëtarë të Policisë të Kosovës. Kërkesat e tyre janë të domosdoshme dhe duhet të aprovohen pa asnjë vonesë,” ka shkruar ajo në Facebook.
Musliu-Shoshi thotë se kërkesat e sindikatës janë Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund-vit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësorë dhe jetësor si dhe Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës.