Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, të premten.
KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.
Zëdhënësi gjerman ka thënë se vendimi nuk ka të bëjë asgjë me tensionet aktuale në veri të Kosovës dhe se trupat do të shërbejnë si kompensim për tërheqjen e trupave austriake në kuadër të KFOR-it.
Ai ka thënë se trupat shtesë nuk do ta rrisin numrin total të trupave të KFOR-it në Kosovë.
Gjermania i ka aktualisht 71 ushtarë në Kosovë.
“Vendimi për ndryshim të balancit të forcave në KFOR merret gjithmonë përmes një procesi shumëkombësh të vendimmarrjes”, ka thënë ky zyrtar gjerman, kur është pyetur se si të veprojë Gjermania nëse situata përshkallëzohet para prillit.
Të premten, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka paralajmëruar përforcime shtesë të trupave të KFOR-it.