Paratë mund të mos blejnë lumturinë, por një analizë e re e shteteve më të lumtura dhe më të palumtura në Amerikë sugjeron se mungesa e parave mund të kontribuojë në gjendjen shpirtërore të një personi.
“Me rritjen e pasurisë nuk rritet lumturia e një njeriut, por përjetimi i varfërisë sigurisht që të bën të pakënaqur”, thotë Miriam Liss, profesore e psikologjisë në Universitetin Mary Washington në Fredericksburg të Virxhinias.
Pasiguria financiare i vështirëson përpjekjet për të siguruar nevojat bazë për strehim, ushqim, veshje, siguri, kujdes shëndetësor dhe transport, duke shkaktuar pakënaqësi, shton ajo.
Për të vlerësuar nivelet e lumturisë në të 50 shtetet, kompania e financave personale WalletHub shqyrtoi tre faktorë kryesorë: mirëqenien emocionale dhe fizike, mjedisin e punës, komunitetin dhe mjedisin.
Juta, Havai, Merilendi, Minesota dhe Nju Xhërsi janë shtetet më të lumtura, sipas analizës së kompanisë WalletHub.
Profesorja Liss mendon se është e kuptueshme që Juta renditet si shteti më i lumtur, ku rreth 60 për qind e popullsisë së saj janë të besimit mormon.