Policia Kufitare në Kapshticë ka arrestuar një 41-vjeçar me inicialet Xh. H., i dënuar më parë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe një 40-vjeçar me inicialet M. V., të dy banues në Tiranë.
Policia bën me dije se në këtë operacion u parandalua dhe u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria drejt Greqisë.
Gjatë kontrollit me skaner u krijuan dyshime se në sediljen e prapme të automjetit ishin fshehur sende të kundërligjshme dhe për këtë arsye efektivët e policisë ushtruan kontroll më të detajuar ku gjetën 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, 5 krehra me fishekë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Korçës, për veprime të mëtejshme.