Merr përmasa të tjera dosja e skandalit të inceneratorëve. Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka denoncuar sot një e-mail ku sipas tij vartësi i Klodian Zotos së inceneratorëve të dënuar, por që është në kërkim, urdhëron Farudin Arapin, administrator i caktuar nga shtetit për impinatet e trajtimit te mbetjeve, se çfarë dokumentesh duhet të dorëzonte para Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët, të zhvilluar në vitin 2022 dhe se si duhet të përgjigjej kur ta pyesnin deputetët.
Belind Këlliçi shprehet se këto mesazhe faktojnë se Farudin Arapi ka vizituar zyrat e “Zoto Consulting” për strategjinë që do ndiqej në përballjen me Komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët. Më tej, anëtari i kryesisë së Sali Berishës thotë se Farudin Arapi shkoi vetë te vartësit e Klodian Zotos për të marrë udhëzime për inceneratorët.
Ai shton se Farudin Arapi nuk e shkel etikën dhe ligjin për hatër të Klodian Zotos dhe as punonjësve të tij, por gjithë këtë e ka bërë se ka marrë direktiva nga lart, Erion Veliaj dhe Edi Rama. Paralajmëroi se mesazhet dhe provat do i çojë në SPAK.