-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Demokracia si siguri

Kryesoret

Radoiçiqi kaloi rrugën e shpejtë, konsistente dhe njëkahëshe, prej hajnit e kontrabandistit në udhëheqës partiak e biznesmen dhe në fund prijës i formacionit paramilitar që udhëhoqi sulmin kundër Kosovës në Banjskë. Në këtë rrugëtim mungon fjala demokraci dhe rrëfen çdo gjë që duhet ditur për rrënjët e jostabilitetit në pika neuralgjike të Ballkanit Perëndimor.

  1. Jam në Sarajevë duke e shkruar këtë tekst dhe kam mundur ta shkruaja edhe para 10 apo 20 vjetësh.

Paradite isha në konferencë kushtuar NATO-s dhe regjionit dhe kam mundur të jem në konferencë të ngjashme edhe para 15 vjetësh.

Në konferencën në të cilën mora pjesë paradite organizatorët nxorën statistikat e pëlqyeshmërisë së NATO-s në BeH, nga një anketë të thellë të zhvilluar në mars dhe prill të këtij viti. Dhe statistikat tregojnë të njëjtën gjë që treguan edhe para 15 vjetësh. Pra, nëntë prej dhjetë të deklaruarve boshnjakë e do NATO-n, 76.5 të kroatëve dhe 84.6 të atyre që deklarohen si “bosnian”, d.m.th. të lidhur me identitetin e BeH, por jo sikur boshnjakët (ish- grupi i deklaruar si “myslimanë”). Por kur vjen puna te deklarimi i serbëve, numri i pëlqyeshmërisë nuk arrin as një çerekun, bëhet fjalë për 23.5 për qind.

Në konferencë dëgjoj elaborime të gjata shkencore dhe politike se si duhet të dërgohet mesazhi i NATO-s, se si duhet të arrijë ai tek gjeneratat e reja, e kështu me radhë. Besoj që e njëjta gjë mund të ketë ndodhur edhe para 15 vjetësh. Me këtë ritëm, edhe çfarëdo konference pas 15 vjetësh do të mund të përsërisë të njëjtën gjë.

Në analizën që kanë bërë dhe bëjnë deri më tani, të gjithë ata që nuk kuptojnë pse ekziston kaq dallim i madh mes etnive, pse nuk ka arritur mesazhi siç duhet, ç’kanë serbët që janë kështu kokëfortë – nuk kanë marrë parasysh një element thelbësor, qytetarët e BeH janë duke u sjellë saktësisht ashtu siç u është përcaktuar në marrëveshjen ndërkombëtare për fundin e luftës. Në atë marrëveshje u përcaktua se boshnjakët e kroatët duhet të bashkëpunojnë në një federatë e serbët të jetojnë në një entitet të vetin të quajtur Republika Serbe. Ata në Kushtetutë figurojnë dhe u detyruan të jetojnë si boshnjakë, serbë e kroatë, e tash po u kërkohet të jetojnë me identitetin e NATO-s, si portugezë, estonianë, çekë e francezë, që të kenë një identitet që tejkalon atë etnik. Shumicës së popullatës në Republikën Serbe kjo nuk po u pëlqen, pak më pak se atyre në Serbi, ku 82 për qind është kundër NATO-s.

2.

Për dallim prej 15 a 20 vjetësh, debati për BeH në NATO ka dimension tjetër. Nëse Ukraina në fund të luftës kundër Rusisë do të jetë anëtare e NATO-s , e kjo mund të ndodhë brenda viteve të këtij dhjetëvjetëshi, si është e mundur që këtë të mos e bëjë BeH? Përgjigjja e thjeshtë që del në pah është se këtë nuk do ta bëjë as Serbia dhe që të dyja janë të lidhura? Por, kjo është përgjigje e thjeshtësuar e cila nga aspekti i sigurisë paraqet problemin evident: nëse kufiri mes Ukrainës dhe Rusisë në fund të kësaj lufte do të jetë kufiri mes NATO-s dhe Rusisë euroaziatike, a do të jetë e replikuar njëjtë edhe në vijën ndarëse e njërit entitet me tjetrin në BeH? Apo në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë?

Ndryshimi i këtij momenti historik duhet të shtyjë, atëherë edhe për ndryshim të qasjes ndaj BeH dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi. Këtij regjioni i nevojiten aranzhime kolektive sigurie dhe këtë mund ta ofrojë vetëm NATO-ja. Përballë këtyre aranzhimeve është një lëvizje anti-NATO që zhvillohet nga Beogradi zyrtar drejtuar kah BeH, Kosova e Mali i Zi. Dhe, dilema 25-vjeçare e NATO-s ka qenë se si të bëhet transformimi i këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor “kur serbët janë kundër”?

3.

Për fillim, pikënisja duhet të ndryshojë. Ndoshta pak më pak analiza se si të depërtojë mesazhi i mirë i NATO-s e më shumë veprim se si të fuqizohen ata të cilëve u dedikohen këto mesazhe. BeH dhe Kosova kanë shembuj të vlefshëm se përse gjërat shkojnë keq.

Të marrim BeH. Në aktgjykimet e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut BeH në rastin Sejdiq-Finci më 2009 u përcaktua se BeH funksionon në bazë të diskriminimit. Të njëjtën gjë më 2023 në rast e kontekst të ngjashëm e përcaktoi edhe në rastin Kovaçeviq kundër BeH. “Gjykata konstatoi se kombinimi i kërkesave territoriale dhe etnike përbën një trajtim diskriminues në kundërshtim me nenin 1 të Protokollit nr. 12 (Ndalim i përgjithshëm i diskriminimit)… Gjykata gjithashtu konstatoi se sistemi aktual politik i Bosnjës i jep përparësi përfaqësimit etnik në lidhje me faktorët politikë, ekonomikë, socialë, filozofikë dhe faktorë të tjerë, gjë që përforcon ndarjet etnike në vend dhe minon karakterin demokratik të zgjedhjeve. Shtohet se “popujt përbërës” pa dyshim gëzojnë një pozitë të privilegjuar në sistemin aktual”.

Pra, në BeH nuk ekziston vota e lirë qytetare. Nëse është kështu, si vendoset për një çështje thelbësore siç janë siguria, NATO-ja?

Rast më eklatant është Kosova. Përgjatë njëzet vjetëve është thënë se duhet bërë këtë apo atë veprim në Kosovë , sepse kështu e” kërkon popullata serbe”. Dhe ky u shndërrua në parim universal: prej targave KM e te Bashkësia e komunave me shumicë serbe, çdo gjë duhej ta kishte vulën e “kërkesës së popullatës serbe”.

Por, kur është pyetur për këtë popullata serbe, institucionalisht? Njëri prej përfaqësuesve më të spikatur politikë, me rol prijësi, në pothuajse njëzet vjetët e fundit ka qenë Milan Radoiçiq. Ai kaloi rrugën e shpejtë, konsistente dhe njëkahëshe, prej hajnit e kontrabandistit në udhëheqës partiak e biznesmen dhe në fund prijës i formacionit paramilitar që udhëhoqi sulmin kundër Kosovës në Banjskë. Në këtë rrugëtim mungon fjala demokraci dhe rrëfen çdo gjë që duhet ditur për jostabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Serbët e Veriut të Kosovës nuk kanë pasur ndonjëherë zgjedhje të lira. Qytetarët e BeH nuk kanë pasur ndonjëherë zgjedhje të lira e demokratike në të cilat njëri kandidat është po aq i barabartë sa tjetri, në të cilën njëra votë e njërit person është e barabartë me votën e personit tjetër.

4.

Para një çerek shekulli njëri prej rrëfimeve të liderëve që donin të ndihmonin Ballkanin Perëndimor ishte se duhet ndërhyrë në BeH e Kosovë për të krijuar një ambient të sigurt në mënyrë që të krijohen kushtet për zgjedhje të lira, rrjedhimisht për demokraci që krijojnë siguri për qytetarët e vet.

Kjo ende vlen, por tash me një ndryshim të vogël. Demokracia e siguria ecin njëkohësisht, duke mos pritur njëra-tjetrën, në fakt duke ushqyer njëra-tjetrën. Për analistët e NATO-s, ekziston një vlerë e shtuar për ta parë demokracinë si mjet të rëndësishëm sigurie./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit