Samiti i Procesit të Berlinit mbahet sot në Tiranë ku do të mblidhen liderët e shteteve anëtare të BE-së, përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky samit është i një rëndësie të veçantë pasi për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të BE-së dhe mbahet në Shqipëri. Punimet e samitit do të zhvillohen në godinën e rikonstruktuar të Piramidës.
Ashtu siç ishte parashikuar, sot në vendin tonë vjen për herë të parë presidenti Francez, Emmanuel Macron. Ky i fundit do të mbërrijë në vendin tonë pasditen e sotme, ku do të pritet me ceremoni shtetërore, por ende nuk janë bërë me dije detaje të tjera nga axhenda e tij. Vizita e tij do të zgjasë dy ditë 16 dhe 17 tetor, ndërsa në fokus të bisedimeve do jenë marrëdhëniet mes dy vendeve, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si kultura, arsimi, ekonomia apo energjia.
Vizita e Macron në vendin tonë shënon një ngjarje historike mes Shqipërisë dhe Francës, duke shënjuar vizitën e parë në marrëdhëniet dypalëshe. Macron ishte parashikuar që të merrte pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, por ai e shtyu me disa orë vizitën e tij për në Tiranë. Sipas mediave franceze, shkak për këtë shtyrje u bënë vrasja e mësuesit në Francë, si edhe konflikti në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe grupit Hamas.