Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar me kreun e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit të Kosovës thuhet se gjatë takimit u diskutua rreth situatës aktuale në vend dhe procesin e dialogut.
Sa i përket dialogut, Kurti ka thënë se ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë,” thuhet në njoftim.
“Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial,” shkruhet në njoftim.
Në këtë takim, Kurti dhe Roth kanë biseduar edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.