Në Jordani do të mbahet nesër një samit katërpalësh mes SHBA-së, Jordanisë, Egjiptit dhe Palestinës. Konkretisht, Mbreti Abdullah II do të presë nesër një samit katërpalësh në Aman me presidentin amerikan Joe Biden, presidentin egjiptian Abdel Fattah Al Sisi dhe presidentin palestinez Mahmud Abbas për të diskutuar mbi zhvillimet në Gaza, ndikimin e tyre rajonal dhe sigurimin e dërgimit të ndihmave në rajon.
Biden “do të përsërisë se Hamasi nuk mbështet të drejtat e popullit palestinez dhe do të diskutojë nevojat humanitare të civilëve në Gaza”, tha dje zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, John Kirby.
Sipas Reuters, qëllimi i Joe Biden do të jetë të tregojë solidaritetin amerikan me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa përpiqet të shmangë një luftë më të gjerë rajonale që përfshin Iranin, Hezbollahun dhe Sirinë.
Mobilizimi i madh diplomatik që po vazhdon këto njëzet e katër orët e fundit me protagonistë nga njëra anë SHBA-të por edhe vendet arabe që kanë një rol të veçantë si Egjipti dhe Katari, por edhe nga ana tjetër Irani, po lëvizin nga pikënisje të ndryshme për të shmangur përshkallëzimin.
Por është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh “raportin e artë”, pasi vetë lirimi i pengjeve në këmbim të heqjes së bllokadës së Gazës dhe kthimit në status “quo ante” do të perceptohej si një disfatë dhe poshtërim për Izraelin, që i ka vendosur vetes si qëllim dënimin shembullor për sulmin e 7 tetorit dhe shfarosjen e Hamasit nga Gaza.