Bashkimi Evropian ka kërkuar të enjten nga Meta dhe TikTok që të ofrojnë informacione se si janë duke e luftuar dezinformimin për luftën Izrael-Hamas.
BE-ja e ka bërë këtë kërkesë duke u bazuar në ligjin e ri, i cili rrezikon t’i përballë gjigantët teknologjikë me gjoba në vlerë të miliarda eurove, nëse dështojnë që t’i mbrojnë përdoruesit.
Komisioni Evropian, dega ekzekutive e bllokut, ka kërkuar zyrtarisht që këto dy rrjete sociale t’i prezantojnë rregullat me të cilat do t’i pastrojnë platformat nga lajmet e rreme.
Si kyçe për luftim janë përmendur përmbajtjet me terrorizëm, dhunë dhe gjuhë të urrejtjes.
Sipas ligjit të ri, nëse këto kompani dështojnë që të veprojnë sipas rregullores, gjobiten me deri në 6 për qind të të të hyrave vjetore.
Brukseli e ka bërë një kërkesë të ngjashme javën e kaluar edhe ndaj platformës së Elon Muskut, X- e njohur deri më tani si Twitter.
Komisionari evropian, Thierry Breton, ka thënë se tri platformave, plus YouTube-it, u janë dërguar letra paralajmëruese, duke i vënë në pah rreziqet që u kanosen nga lufta.
Meta, e cila e ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, ka thënë se “e ka një sistem të mirëkrijuar për identifikim dhe zbehje të rreziqeve gjatë krizave, duke e mbrojtur lirinë e shprehjes”.
TikTok nuk ka reaguar ende lidhur me këtë kërkesë./REL