Sot Gjykata e Tiranës shqyrtoi kërkesën e Lulzim Bashës për të regjistruar ndryshimet statutore të kuvendit kombëtar që thirri në 2 shtator. Në gjykatë për t’u dëgjuar u thirrën edhe grupi i “Rithemelimit” që drejtohet nga Sali Berisha, që ka kërkuar pezullimin me argumentin se nuk mund të ketë regjistrime shtesë, pa u zgjidhur çështja në themel se kujt i përket vula, çështje që ndodhet në Gjykatën e Lartë.
Përfaqësues të PD zyrtare në shqyrtimin e sotëm në Gjykatën e Tiranës ishin Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa. Nga grupi i Gazment Bardhit ishin Marash Logu dhe Redi Rama, ndërsa nga grupi i Sali Berishës, Çlirim Gjata dhe Franc Nuri. Seanca e sotme u shty për në datë 25 Tetor pasi Çlirim Gjata duhet t’i paraqesë gjykatës prokurë përfaqësimi për palën e udhëhequr nga Sali Berisha.
Gjykata e Apelit vendosi që të rrëzonte shkallën e parë që i dha vulën Sali Berishës duke kërkuar rigjykimin e çështjes. Kundër këtij vendimi të Apelit, Rithemelimi i Berishës iu drejtua Gjykatës së Lartë. Dosja ende nuk është shqyrtuar. Ndërkohë Basha pas rikthimit në krye të PD-së së vulës kërkon regjistrimin e ndryshimeve statutore.