Ish-kryeministri Sali Berisha shprehet se nuk e njeh vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës që përjashtoi nga parlamenti 26 deputetë të opozitës, ku në listë është edhe ai, pas bllokimit të seancës plenare këtë të enjte. Berisha tha se opozita do të vijojë në rrugën e saj.
“Ata mendojnë se na përjashtojnë, por në fakt ne sot jemi parlamentarët e vërtetë. Edhe 46 po të përjashtohen të jenë të sigurt se ne nuk dorëzohemi, nuk tërhiqemi. Prisni, durim.
Tërheqje nuk ka më. Nuk e njohim vendimin. E vetmja gjë që kërkoj që hapat që do bëjmë do i bëjmë të sigurta dhe kërkohet durim sepse kjo nuk është lëvizje sot për nesër, është sot për fitore”, u shpreh Sali Berisha.
26 deputetë të opozitës u përjashtuan sot për 10 ditë pasi opozita bllokoi Parlamentin duke bërë që seanca plenare të shtyhet për një moment tjetër.