Rama asnjëherë nuk e ka fshehur që ka ardhur si misionar dhe vizioni i tij është unik dhe nuk mund të gjendet midis shqiptarëve dhe më gjerë. Kjo e bën atë të vecantë, nuk ka kohë më për modesti, prandaj Shqipëria duhet ta pranojë atë si ‘brand’ komercial që bën diferencën.
Është ‘brandi’ Rama që do të sjellë Europën në Ballkan, pa pasur nevojë të lodhemi dhe të punojmë për arritjen e standarteve europiane. ‘Brandi’ Rama është një vizion i fuqishëm për ta bërë Shqipërinë një bace me lule në brigjet e Adriatikut, ku institucionet, llogaridhënia dhe shteti ligjor vecse pengojnë zhvillimin e shpejtë të vendit!
“Vendi nuk zhvillohet duke respektuar ligjet” – thotë vizionari – por me harmoninë që krijon në mendjen e vizonarit natyra, objektet, institucionet dhe njerëzit. Ai parapëlqen të bukurën jo të dobishmen, të madhërishmen jo funksionalen. Ai bezdiset nga Parlamenti, drejtësia, institucionet, që për të janë një konglomerat sherrxhinjsh që nuk shohin vizionin dhe humbasin momentin.
Ai nuk impresionohet nga historia, mendimi njerëzor por nga filmat dhe personazhet e fortë dhe të suksesshëm. Ai mendon se Amerikën e ka bërë më shumë Al Capone sesa individualiteti dhe kredoja amerikane. Ai beson se është gjenial dhe se kur luan në politikë është lider global.
Ai personalizon cdo gjë në katundin e tij, por guxon të marrë dhe t’i japë formë edhe samiteve Europiane duke prodhuar filma se si percepton ai gjërat dhe perspektivat, sikur nuk përfaqëson zyrtarin e një shteti. Ai është i gatshëm të ndajë famën e tij edhe në formën e një kartoni mbështjellës të picës, të koreografit të një valleje, apo të një dhëndri grindavec që vetëm e shan nusen Europë, që ajo ta pranojë nga turpi dhe jo nga merita.
Vizionarët e sotëm janë ndryshe nga satrapët e djeshëm që zotëronin shtetet e tyre me dhunë dhe me forcën e armëve. Këta të sotmit blejnë mediat, televizionet dhe hedhin ‘tallava’ që procesi i manipulimit të zgjedhjeve dhe blerja e votave të jetë sa më i gëzueshëm. Ata nuk ngrejnë piramida si diktatorët por pikturojnë zyra ku liderët e botës habiten me talentin dhe kohën për të vizatuar.
Ata rikonstruktojnë piramidat e diktatorëve me qëllim të tregojnë se tejkalojnë dhe fatin e tyre. Vizionari i ri Rama nuk është si vizionarët e vjetër të Shqipërisë që manipulonin shtresa të caktuara të popullsisë me ideologji dhe i frymëzonin për misione të vecanta. Ai përfaqëson vizionarin e Shqipërisë si një parajsë turizmi ku ekzistenca e shqiptarëve vec sa i prish punë.
Prandaj ata duhet të largohen, jo 1 milion të dëshpëruar si deri tani, por mundësisht të gjithë. Mund ti zëvendësojmë me bangladeshas e afrikanë, por pronarët e hoteleve do mbeten dishepujt e tij. Prandaj varfërimi, mungesa e perspektivës për të rinjtë, mungesa e drejtësisë do të largojnë shqiptarët drejt perëndimit.
Ky është vizioni i picaxhiut Rama dhe perspektivës së Shqipërisë në qeverisjen e tij. Me vizionin e tij sot Shqipëria është bërë parajsa e kanabisit dhe drogës së fortë në Europë, forcimin e krimit të organizuar dhe bashkëpunimin e tij me Ndragetën dhe mafien kolumbiane. Korrupsioni qeveritar është ngritur në art.
Kullat e larta që shkëlqejnë në qendër të Tiranës dhe thuhet që kanë realizuar ndryshimin, nuk përfaqësojnë forcën e shtetit por të individit që pasurohet nga shteti. Ajo që e bën krenar këtë regjim është se kryeministri i Shqipërisë udhëton me avion personal si Presidenti i SHBA-së, ndërsa shqiptarët e uritur i bën të lumtur një vend i sigurtë në gomonet e fshehta për të vajtur ilegalisht në Europë.
Ky vizion i Ramës është një vizion që vret.