Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën pas një takimi me pesë diplomatët perëndimorë se për vendin e tij çështja më urgjente është siguria e shtetit të qytetarëve. Paraprakisht të shtunën pas takimit në Prishtinë, Miroslav Lajçak, i cili i priu pesëshes diplomatike, tha se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.
Kurti theksoi, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. “Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me dialogun, kryeministri kosovar theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”. Pas vizitës në Prishtinë, diplomatët do të udhëtojnë drejt Beogradit, ku do të takohen me presidentin serb Aleksandar Vuçiç rreth orës 14:00.
Para takimeve, burimet diplomatike në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.
5 diplomatë në zyrën e Kurtit, Lajçak: I dorëzuam draftin, sa më shpejt Asociacioni