Zjarri i madh që ka përfshirë sërish fushën e mbetjeve në Vlorë vazhdon prej ditës së djeshme. Vatrat e zjarrit kanë qenë aktive edhe gjatë natës. Për shkak të situatës së vështirë meteorologjike menaxhimi i tij ka qenë i vështirë.
Era ka favorizuar flakët dhe përhapjen e zjarrit. Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu ka publikuar pamjet nga fusha e mbetjeve dhe bën thirrje për reagim.
“Në këtë moment vijon djegia e plehrave në Vlorë. Asnjë zjarrfikëse në vendngjarje për të shuar flakët. Ndërkohë tymi kancerogjen pushton jo vetëm banorët e zonës për rreth por të gjithë qytetin e Vlorës.
Kjo nuk është hera e parë por tashmë është bërë e zakonshme kjo situatë. Organet përgjegjëse duhet të reagojnë, në të kundërt bëhen pjesë e këtij krimi mjedisor” shprehet ai.
Muajt e fundit kjo zonë ka qenë shpesh e përfshirë nga zjarret duke krijuar jo pak probleme për banorët dhe për pushuesit në Vlorë.
Tani fusha e mbetjeve ka mbetur në dorë të Zotit, vetëm shiu mund ta shuajë.