Gjykata e Posaçme vendosi mbrëmjen e sotme që të lërë të pandryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin duke caktuar “arrest me burg” pa afat. Gjithashtu nuk ka ndryshim as për biznesmenin Fatmir Bekteshi që do të vazhdojë që të jetë në detyrim paraqitje. Të dy akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me ndërtimin e 17 kullave mbi truallin e ish-kompleksit “Partizani”.
Dy avokatët që mbrojnë Malltezin, Antoneta Sevdari dhe Klodian Skënderi pretendojnë se nuk ka asnjë shkelje ligjore. “Nuk ka vepër penale sepse personat nën hetim janë në marrëdhënie juridike-penale të patër. Ligjet nuk janë atakuar as kundërshtuar në atë kohë. Qëndrimi ynë në raport me akuzat është mohues. Këtë e themi me bindje për aq sa mundëm, fashikujt e depozituar.
Të akuzosh dikë sepse është trashëgimtar i ligjshëm dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një tjetër familje trashgimtare kjo është shumë e guximshme. Ky standard i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime në këtë vend po cenohet parimi i sigurisë juridike” tha Klodian Skënderi. I pyetur nëse Malltezi foli gjatë seancës, Skënderi dhe Sevdari nuk pranuan që të jepnin detaje duke u larguar.