Ish-kryeministri Sali Berisha deklaron prerë dhe qartë se nuk pranon që të paraqitet në gjykatën e Posaçme duke mos e njohur masën “detyrim paraqitje” për shkak se gëzon imunitet dhe se përpara se të merrej ky vendim më parë duhet të kishte një kërkesë nga SPAK-u në parlament.
Në këtë pikë i jep të drejtë edhe deputeti i Partisë Socialiste Denis Deliu. Socialisti deklaroi sot se është i habitur dhe e cilëson të çuditshëm vendimin e gjykatës që nuk kaloi më parë nga parlamenti për t’i hequr imunitetin Sali Berishës dhe më pas të merrte masën kundër tij.
“Në fakt, Kuvendi ka një procedurë të konsoliduar në këtë drejtim. Kushtetuta dhe ligji e thotë qartë që ndaj deputetit nuk ushtrohet kufizimi i lirisë në asnjë rrethanë, ndalohet arresti me burg, apo në shtëpi, përveç rasteve në flagrancë.
Duhet të shohim vendimin e gjykatës si e kanë interpretuar. Është një paqartësi këtu, shpresojmë që të zgjidhet nga SPAK-u dhe gjykata. E pamë si lajm që natën e parë është pak e çuditshme, por të shohim vendimin e gjykatës dhe prokurorisë ku e kanë mbështetur këtë masë sigurie për zotin Berisha.
Ky është një rast i parë, pasi kemi zotin Ahmetaj, prokuroria ka marrë leje, po ashtu zotin Tahiri dhe Bllako që është ndjekur procedura standarde nga SPAK-u. Në rastin e Berishës nuk ka ndodhur kjo, që të kenë bërë kërkesë për heqjen e mandatit. Kjo është hera e parë që ndodh” tha ai.