Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari- Lila për mes një reagimi në llogarinë e saj në “Facebook” ka shkruar në lidhje me maratonën e zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë.
Kusari ka nxjerr në pah se gjatë maratonës flamuri i Kosovës nuk ishte vendosur për garuesit nga Kosova.
“Por, përderisa të gjithë pjesëmarrësve nga vendet tjera, ju njihej përkatësia shtetërore dhe shënohej flamuri shtetëror në rezultatet e garës, fatkeqësisht kjo nuk ishte rasti me vrapuesit nga Kosova,” shkruan ajo.
Kusari më tej shtoi se pjesëmarrësit nga Kosova janë përfaqësuar me shenjën XK dhe KOS, siç është shkurtesa zyrtare dhe pranë shkurtesës nuk ka qenë flamuri i Kosovës.
“Të gjithë pjesëmarrësit nga Republika e Kosovës në Maratonën e Tiranës ishin përfaqësues me shenjën XK (dhe jo KOS, sipas shkurtesës zyrtare të Kosovës) dhe pranë kësaj shkurtese nuk ishte flamuri ynë. Do të thotë, rezultati final i garës nuk mban as emrin dhe as flamurin e Kosovës, përkundër faktit që vit pas viti, numri i shtetasve të Kosovës është në rritje në vrapimin e Tiranës.”
Rasti i njëjtë, Kusari thotë se është në Maqedoninë e Veriut, por që ishte përmirësuar dy vite më parë.
“Gara duhet të jetë fillim e mbarim për përfaqësim të denjë dhe të barabartë për të gjithë!,” përfundoi ajo.