Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi sot që koalicioni ndërkombëtar i cili lufton kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri të zgjerohet për të përfshirë luftën kundër grupit militant palestinez Hamas në Gazë.
Presidenti francez e bëri këtë propozim ndërsa po viziton Izraelin, por nuk dha detaje se si do të mund të bëhej kjo. Kryeministri izraelit, Netanyahu pas takimit e cilësoi luftën e vendit të tij kundër Hamasit si lufta për shpëtimin e qytetërimit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pas takimeve me udhëheqësit izraelit në Tel Aviv dhe Jerusalem, propozoi që grupi militant palestinez, Hamas të luftohet nga një forcë rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidenti Macron e bëri të ditur propozimin e tij gjatë konferencës për shtyp krahas kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu duke thënë sea shtu si grupi Shtetit Islamik, edhe Hamasi është një organizatë terroriste që ka për qëllim shkatërrimin e Izraelit.
“Kjo është arsyeja pse Franca është e përgatitur që koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, të luftojë edhe kundër Hamasit. Unë iu propozoj partnerëve tanë ndërkombëtarë që të ndërtojmë një koalicion rajonal dhe ndërkombëtar për të luftuar kundër grupeve terroriste që na kërcënojnë të gjithëve,” tha Presidenti francez.
Zoti Macron megjithatë nuk dha detaje se si do të bëhet ndërtimi i këtij koalicioni, por theksoi se Franca dhe Izraeli e kanë terrorizmin “armikun e tyre të përbashkët”.
Koalicioni që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara përbëhet nga rreth 80 vende dhe organizata ndërkombëtare që ndërmerr veprime ushtarake, por gjithashtu lufton kundër financimit të terrorizmit, luftëtarëve të huaj terroristë dhe ndihmon në stabilizimin dhe rindërtimin e zonave të çliruara.
Kryeministri izraelit nuk e komentoi propozimin e Presidentit Macron, por luftën kundër Hamasit e vlerësoi si përballje të qytetërimit kundër të keqes./VOA
Artikulli i plotë këtu.