Bashkimi Evropian i ka cilësuar si “mbështetje” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë takimet e së enjtes në margjinat e samitit të BE-së, ku janë ftuar kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Kurti dhe Vuçiq e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimet ndarëse me liderët kryesorë evropianë, të cilat, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, nuk janë të nivelit të lartë.
“Takimet janë në mbështetje të kthimit në dialog dhe ky është mesazhi. Presim nga të dyja palët që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së obligimeve nga dialogu,” tha Stano të mërkurën.
Burimet e BE-së kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, tani për tani, plani nuk është që të ketë takim të përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiçit, megjithëse nuk e kanë përjashtuar plotësisht një takim të tillë, i cili do të varej nga rrjedha e takimeve paraprake ndarëse.
Të enjten në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Nga rrjedha e takimeve që liderët evropianë do të kenë me dy liderët do të varet se a do të ketë ndoshta edhe takim trepalësh, ku së bashku do të ishin edhe kryeministri i Kosovës edhe presidenti i Serbisë,” ka thënë një burim i BE-së.
Kosovës, sipas burimeve, do t’i kërkohet ta pranojë draftin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë ta zbatojë pa asnjë kusht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe aneksin e saj të arritur në fund të këtij viti në Ohër./REL
Artikulli i plotë këtu.