Mosmarrëveshjet ndërmjet partive shqiptare në Preshevë, tash e disa vite, krijojnë destabilitet të pushtetit lokal atje.
Kjo komunë në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare, gjendet para mundësisë për të shkuar sërish në zgjedhje të parakohshme të katërtat me radhë që nga viti 2016 pasi kuvendi i saj dështoi këtë javë të mbante një seancë të domosdoshme për të ruajtur aspektin ligjor të funksionimit të tij.
Duke komentuar dështimin e kësaj seance, kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se komuna mund të shkojë në zgjedhje.
“Është një vakum, i cili nëse nuk tejkalohet, [komuna] mund të shkojë në zgjedhje,” tha ai.
Zgjedhjet e fundit të parakohshme në Preshevë u mbajtën në mars të vitit 2022.
Që nga viti 2016, Alternativa për Ndryshim e kryetarit aktual, Shqiprim Arifi, dhe Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit, aktualisht deputet i vetëm në Kuvendin e Serbisë, disa herë ia kanë marrë qeverisjen njëra-tjetrës, ndërsa dy herë – më 2017 dhe 2020 – atë e ka caktuar Qeveria e Serbisë, përmes organit të përkohshëm.
“Kjo është më shumë simptomë e stërkeqjes dhe degradimit të partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës.
Jo vetëm se nuk e kanë një bashkëpunim për interesa kolektive, por iu mungon një strategji e përbashkët për mënyrën se si do ta përmirësonin pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës,” thotë Belgzim Kamberi, nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, për Radion Evropa e Lirë./REL
Artikulli i plotë këtu.