Fitoret kundër Polonisë dhe Çekisë kanë bërë që kombëtarja shqiptare e futbollit të pozicionohet e 59-ta në botë, kjo në përditësimin e fundit të publikuar sot nga FIFA.
Sipas faqes së specializuar së transferimeve “Transfermarkt”, Shqipëria vlen në total 109.95 milionë euro.
Shumatorja e vlerave të të gjithë futbollistëve të grumbulluar së fundmi nga Sylvinho kap këtë shifër, teksa bie në sy se rritje kanë pasur disa emra.
Vlen të përmendet Ernest Muçi, sulmuesi i Legias së Varshavës që nga 2.5 milionë euro, tanimë me paraqitjet e tij kap shifrën e 5 milionë eurove, teksa ka kontratë me polakët deri në verën e 2025.
Rritje ka pasur edhe për Taulant Seferin, që vlen tanimë 2.5 milionë euro, si edhe Mirlind Daku që vlen 1.2 milionë euro.
Arbnor Muja nga 2.5 milionë euro tanimë vlen katër milionë euro, ndërsa kartoni i Ramadanit kap shifrën e 1.8 milionë eurove.