Gjykata Kushtetuese njoftoi ditën e sotme se kaloi për shqyrtim çështjen ‘Beleri’. Kjo shkallë, që është më e lartë në Shqipëri për drejtësi është shpresa e fundit e Fredi Belerit për fituar lirinë. Ai ka ankimuar vendimin e 26 shtatorit të dhënë nga gjykata e Lartë që refuzoi lirimin e Fredi Belerit duke e lënë të pandryshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Përmes njoftimit për median Gjykata Kushtetuese informoi sot vendimin për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.
“Ju informojmë se në Gjykatën Kushtetuese në datën 28.09.2023 është paraqitur dhe regjistruar me nr. 2 (Dh) 2023 regjistri themeltar, datë 28.09.2023 kërkesa me kërkues Dhionisios Alfred Beleri, me objekt: “Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i vendimit nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i vendimit nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në datën 23.10.2023, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve” mbyllet njoftimi. Aktualisht në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet gjyqi në themel për Belerin, të arrestuar për blerje votash dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit, ku fitoi nga qelia bashkinë e Himarës.