Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash për dosjen e kompleksit “Partizani” ka apeluar vendimin e shkallës së parë për ta lënë në burg pa afat.
Ai u arrestua ditën e shtunë në mbrëmje në aeroportin e Rinasit, teksa po priste gruan, Argita Malltezi të zbriste nga avioni. Të hënën doli para gjyqtares Irena Gjoka për njohjen e masës së sigurisë bashkë me biznesmenin Fatmir Bekteshi, që u la në detyrim paraqitje.
Malltezi, kundërshton vendimin dhe përmes avokatëve e çoi në apel. Për këtë dosje nën akuzë është edhe Sali Berisha për korrupsion, që u la në detyrim paraqitje dhe iu bllokua pasaporta për të dalë jashtë vendit, por që refuzoi të shkonte në gjyq të njihej me masën.