-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Suad Saliu: Pushteti që po i lëkund themelet e shtetit

Kryesoret

Destabilizimi nuk nis kur studentët dalin në rrugë për një të drejtë që u takon. Destabilizimi nis kur pushteti prek pikat më të ndjeshme të shtetit: orientimin strategjik, marrëveshjen që e mbajti vendin në paqe (MO) dhe ëndrrën e vetme që për vite i ka mbajtur bashkë komunitetet (integrimin në BE). Pikërisht këtu po vepron sot qeveria e Hristijan Mickoskit. Prandaj, nëse duam të flasim seriozisht për destabilizim, atëherë duhet parë të paktën tri drejtime.

1. Dobësimi i Korridorit 8
Vetëm para një muaji pati zhvillimi kruciale me implikime të forta gjeopolitike rreth proektit të Porto Romanos, portit furnizues të Koridorit 8 në Durrës. Ky projekt, sipas insistimit amerikan nuk mund të mbetet “port i vogël turistik”, prandaj tenderi duhej anuluar. Në emailin e publikuar nga mediat, Grant Van Cleve, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë (që duket qartë se ka marrë instrukcione nga Departamenti i Shtetit) kërkonte një Porto Romano më të madh, të bashkëfinancuar nga partnerë nga SHBA dhe Italia dhe të realizuar me furnitorë strategjikë nga SHBA, Turqia, Italia dhe Holanda.

Pasi, sipas tij, Korridori 8 duhet të ngrihet si nyje strategjike që konkuron realisht me Portin e Pireut dhe Portin e Selanikut të Koridorit 10. Arsyeja është e thjeshtë: këto dy porte kontrollohen sot nga kapital Kinez dhe nga oligarku ruso-grek Ivan Savvidis. Kështu korridori 10, që kalon përmes Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, po mbahet ekskluzivisht i varur prej tyre.

Prandaj çdo përpjekje për ta cunguar këtë korridor nuk është çështje e vogël. Vetëm pak ditë më parë, ministri Aleksandar Nikoloski dhe kryeministri i vendit lanë të hapur mundësinë që segmenti Trebenishtë – Strugë – Qafa e Thanës të mos ndërtohet si autostradë e re, duke e lidhur vendimin me konsultimet me UNESCOn dhe me idenë që mund të përdoren “zgjidhje ekzistuese”. Ky segment nuk është detal, është hallka që e mbyll kuptimin e korridorit drejt Shqipërisë.

Të gjithë e kuptojnë se ky është vetëm një justifikim, aq më shumë aleatët tanë. Qëllimi i vërtetë është ta devijojnë fluksin e mallrave drejt Korridorit 10, rrugë që i shërben porteve greke dhe interesave ruso-kineze dhe serbe.

Efekti politik është i qartë: dobësohet boshti lindje-perëndim dhe forcohet logjika e varësisë nga korridoret veri-jug. Kjo nuk e stabilizon shtetin që partner strategjik ka zgjedhur pikërisht SHBA-të the Turqinë.

2. Zbehja e Marrëveshjes së Ohrit
Pika e dytë është edhe më e rrezikshme, sepse prek vetë themelet e bashkëjetesës. Marrëveshja e Ohrit nuk ishte dekor politik. Ajo ishte kompromisi mbi të cilin u rindërtua shteti pas vitit 2001. Shqiptarët më së paku janë të kënaqur me këtë Marrëveshje. Por po e respektojnë. Në rendin kushtetues pas Ohrit, çdo gjuhë që e flasin të paktën 20% e qytetarëve është gjithashtu gjuhë zyrtare. Në organet e shtetit kjo mund të përdoret si gjuhë tjetër zyrtare, sipas ligjit, si dhe përfaqësimi i drejtë e adekuat i komuniteteve u ngrit në parim kushtetues.

Pikërisht për këtë deklarata e Mickoskit e 27 marsit 2026 ishte alarmante. Nga foltorja e Kuvendit ai tha se “askush nuk është kundër gjuhës shqipe”, por se duhet ditur se gjuha zyrtare e shtetit është maqedonishtja. Kjo nuk ishte lapsus. Ishte kthim te logjika para Ohrit, pranoje shqipen sa për dekor, por mos e trajto si pjesë reale të arkitekturës së shtetit.

Edhe sot, në përgjigje ndaj protestës së studentëve, ai vazhdoi të njëjtën vijë. Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet në shqip, ashtu si u takon sipas ligjeve ekzistuese. Mickoski tha se kërkohet një zgjidhje “kushtetuese” dhe “në përputhje me standardet ndërkombëtare”, duke u mbështetur në opinionin kritik të Komisionit të Venecias për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore. Duke lënë të kuptohet se edhe kjo çështje do të zvarritet pafund, derisa të na lodhin me çështje që duhej të ishin mbyllur para 20 vitesh.

Shqetësimi është se aktorë të rëndësishëm qeverisës në Maqedoninë e Veriut po e trajtojnë gjithnjë e më shumë M. e Ohrit jo si një kornizë kushtetuese dhe politike detyruese, por si diçka që mund të ngushtohet, të riinterpretohet ose të shtyhet prapa në mënyrë informale përmes praktikës selektive, interpretimit kufizues dhe mesazheve publike.

Këtu qëndron problemi real. Të drejtat që dolën nga Ohri po paraqiten gjithnjë e më shpesh si barrë, si teprim, si diçka që duhet ngushtuar me interpretim. Dhe kur kjo ndodh nga maja e pushtetit, mesazhi është i qartë, shteti nuk po ecën drejt barazisë më të madhe, por po u “rikthehet maqedonasve”. Ky është destabilizimi i brendshëm i shtetit. Jo protestat studentore!

3. Pengimi i rrugës evropiane
Për shumë vite, rruga drejt BE-së ishte ndoshta projekti i vetëm i madh që i mbante bashkë shqiptarët dhe maqedonasit. Për shqiptarët, ajo ishte garanci për më shumë barazi, më shumë ligj dhe më pak arbitraritet etnik. Për maqedonasit, ishte rrugë daljeje nga izolimi dhe pasiguria. Ky projekt nuk i zgjidhte të gjitha problemet, por u dha komuniteteve një drejtim të përbashkët.

Sot ky drejtim po dëmtohet nga vetë qeveria. Qëndrimi i BE-së nuk është i paqartë, Shkupi duhet të “qëndrojë në kurs” dhe të ndërmarrë hapat e radhës të nevojshëm për hapjen e negociatave, miratimin e ndryshimeve kushtetuese për të cilat është zotuar. Megjithatë, më 29 mars 2026 Mickoski përsëriti edhe një herë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese “pa një fund të qartë”. Kjo është një lojë e rrezikshme, sepse publikisht thonë “jemi për Evropën”, ndërsa në praktikë bëjnë bllokadën.

Dhe kur e dëmton pikërisht projektin që për vite ka qenë ura mes komuniteteve, atëherë po e godet edhe njëherë kohezionin e brendshëm të shtetit. Po i heq vendit të vetmen busull të përbashkët. Kjo është formulë për paqëndrueshmëri.

Përfundimi
Prandaj jo, problemi nuk janë studentët. Nuk janë protestat. Nuk është as fakti që qytetarët po reagojnë kur preken të drejta që duhej të ishin normalizuar prej kohësh.

Problemi është se qeveria po i prek tri shtyllat që e mbajnë në këmbë këtë shtet: orientimin strategjik përmes Korridorit 8, ekuilibrin e brendshëm përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe të ardhmen e përbashkët përmes integrimit evropian.

Kur dobëson korridorin që e lidh vendin me Perëndimin dhe aleatët strategjikë, kur e relativizon marrëveshjen që e ruajti paqen dhe kur e bllokon rrugën që i jepte kuptim bashkëjetesës, atëherë nuk ke të drejtë t’i quash studentët faktor destabilizimi.

Sepse destabilizimi i vërtetë nuk vjen nga rruga. Vjen nga pushteti kur humb sensin e shtetit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit