Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar nga partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që sa më parë të thirrin një takim liderësh, në të cilin do të merreshin vesh për datën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, që duhet të mbahen në vitin 2024.
Kërkesa e VMRO DPMNE-së dhe e Frontit Opozitar Shqiptar u bë pas thirrjes së kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili të enjten kërkoi nga partitë që sa më shpejt të merren vesh për zgjedhjet e ardhshme.
Në të kundërtën, tha ai, deri në fund të vitit do të shpallte zgjedhjet në afatin e parë të mundshëm, bazuar në përcaktimet kushtetuese.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare, sipas Xhaferit, mund të organizohen mes 5 majit dhe 15 korrikut të vitit 2024, ndërsa presidencialet më së voni më 25 prill, rundi i parë dhe më 8 maj 2024 rundi i dytë.
Ai ka thënë se nëse partitë pajtohen që të ketë zgjedhje të dyfishta, atëherë ato mund të mbahen më 5 apo 8 maj të vitit të ardhshëm.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka thënë se do të pranonte çdo takim që do të caktojnë partitë në pushtet që të ulen për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve.
Opozita maqedonase ka hequr dorë edhe nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme, por ka kërkuar që zgjedhjet e rregullta të mbahen në afatin e parë të mundshëm ligjor./REL
Artikulli i plotë këtu.