Gjatë seancës plenare të Kuvendit, tensionet arritën kulmin pas përplasjeve mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, ku shkak u bë kërkesa për replikë nga kreu i PD, Sali Berisha. Ky i fundit kërkoi fjalën pas përmendjes së emrit të tij nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla, i cili e akuzoi për lidhje me SHBA-në dhe akuzat për korrupsion.
Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, ia mohoi Berishës të drejtën për replikë, duke çuar në reagimin e fortë të deputetëve të opozitës, që nuk pranuan të mbanin fjalën për procedurë. Ata kërkuan që Berisha të fliste nga foltorja.
Kjo shkaktoi debate të ashpra, me deputetët e opozitës që zunë foltoren dhe i kërkuan Spahiut të lejonte fjalën e liderit të PD. Në përgjigje, Spahiu i dha vërejtje deputetit Himçi, duke e akuzuar se kishte shkelur rregulloren e Kuvendit.
Në këto kushte, tensionet u përshkallëzuan dhe seanca u ndërpre për 5 minuta, për t’u qetësuar situata.









