Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka sekuestruar disa prona buzë detit Pëllumb Gjokës, biznesmenit që qeveria Rama e shpalli disa vite më parë investitor strategjik, por që pak muaj më parë u arrestua për disa vepra penale së bashku me ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri, një prokuror në Kukës, zyrtarë të tjerë policie, etj. SPAK thotë se nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura në emër të biznesmenit dhe të atit Kol Gjoka, pyll janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga Pëllumb Gjoka në bashkëpunim me persona të tjerë.
Tre pasuritë e paluajtshme që janë sekuestruar me sipërfaqe totale 390 000 m2, janë si më poshtë:
- Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregtare …….;
- Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregtare ……..;
- Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit Kol Gjoka.