Pas raportimeve për kryerjen e bastisjeve në në shtëpinë e ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajt mësohet se ato kanë përfunduar dhe në lidhje me këto kontrolle ka folur avokati i tij, Artan Qerkini.
Avokati u shpreh se bastisja nisi në 8 të mëngjesit ndërsa shtroi pyetjen se si ka mundësi që të kenë qasje në shtëpinë e një ish-shefi të shërbimit të inteligjencës persona që nuk e kanë certifikatën e sigurisë”
“Z. Smakaj fare nuk është evidentuar në këto dokumente si i dyshuar. Dokumentet janë marrë. A është marrë ndonjë dokument që është i ndjeshëm për sigurinë e shtetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet”, tha ai në një deklarim para gazetarëve.
“Do të ndërmerren edhe procedurat e nevojshme ligjore nëse është marrë ndonjë dokument i kësaj natyre”, paralajmëroi më tej ai.
Avokati tha se hetuesit kanë bastisur shtëpinë e Smakajt me arsyetimin se mund të gjenden prova me relevancë për procedurat që janë duke u zhvilluar.
“Nuk është intervistuar dhe nuk ka pranuar kërkesë që të intervistohet”, tha avokati.
Qerkini është avokat edhe i Blerim Shalës, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, në shtëpinë e të cilit u kryen gjithashtu bastisje. Për të avokati nuk deshi të fliste, me arsyetimin se nuk ka qenë atje.