Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur sot takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë. Përmes një postimi në Twitter ai ka thënë se u ka ofruar atyre të rejat më të fundit mbi dialogun.
Ai u shpreh se takimin e ka filluar duke shprehur mirënjohje për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përpjekjet e tyre për rikthimin e dialogut në rrugën e duhur, pas sulmit të 24 shtatorit.
“Sot u takova me ambasadorët e akredituar në Kosovë për t’iu ofruar atyre të rejat më të fundit mbi dialogun, siç është praktikë e zakonshme.
Fillova duke shprehur mirënjohjen për BE-në dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nëse do të ishte në dorën e Kosovës deri tani do të kishte marrëveshje.
“Theksova gjithashtu se nëse do të ishte vetëm në dorën e Kosovës, ne do të kishim arritur një marrëveshje dhe tashmë do të ishim në proces të zbatimit të saj.
Kosova është ende e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore, Aneksin Zbatues dhe draftin e 21 tetorit. Serbia vazhdon të refuzojë”, ka thënë ai.