Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë për televizionin shqiptar “Shenja”, ka komentuar sërish vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në dy komunat me shumicë shqiptare – Tetovën dhe Çairin në Shkup, duke vlerësuar se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mund të jetë ofenduar nga ajo vizitë.
Pendarovski ka thënë se vizita e Kurtit me rastin e riemërtimit të një rruge me emrin Adem Demaçi është shfrytëzuar për të “luajtur kartën e “Shqipërisë së madhe”.
“Kishte një hartë të ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe elementi tjetër që më ngatërroi ishte Kasami, i cili regjistroi një video ku thoshte – mirë se erdhe në kryeqytetin e shqiptarëve, duke iu drejtuar Kurtit sikur të ishte kryeministri i shqiptarëve, që është fyerje për Ramën, mendoj se nuk duhet të përdorim këtë lloj retorikë nacionaliste”, tha Pendarovski.
Duke folur për ngjarjet në veri të Kosovës, ai tha se në politikën e jashtme si president ka përgjegjësi. “Sipas meje, shteti maqedonas ka reaguar ndaj ngjarjeve në Kosovë”, shtoi Pendarovski. Ai tha se ndjenjat e popullit maqedonas janë specifike ndaj Serbisë, që sipas tij ka të bëjë me jetën e tyre të gjatë së bashku në ish- Jugosllavi.